Osmani: Kosova nuk bie pre e provokimeve të Serbisë

Presidentja Vjosa Osmani është deklaruar rreth gjetjes së dhjetë detonatorëve në veri të vendit.

Në një prononcim për media, Presidentja tha se Serbia vazhdimisht shkel kufirin që ndan Kosovën dhe shtetit serb, nëpërmjet akteve të agresionit dhe veprimeve tjera provokative.

Sipas Osmanit, Serbia përdorë vazhdimisht propagandën, si një lloj arme të luftës të vazhdueshme me Kosovën.

“Kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës në njërën anë, dhe Serbisë në anën tjetër, ne e respektojmë. Por Serbia vazhdimisht nëpërmjet akteve të agresionit dhe veprimeve të tjera provokative e shkel. Ka pasur raste kur u patën kidnapuar edhe tre policë të Kosovës brenda territorit të Kosovës. E kishim edhe rastin me qytetarin e përkatësisë etnike serbe, por qytetar i Republikës së Kosovës që u plagos”.

“Përderisa ndodhin të gjitha këto, natyrisht që një prej mjeteve kryesore që Serbia e përdor, që e ka përdorur përgjatë historisë, mirëpo që është intensifikuar shumë këto vitet e fundit është propaganda. Është një propagandë shumë e rrezikshme, sepse tani me zhvillime të reja teknologjike mund të prodhojë gjithçka. Është një formë e luftës së vazhdueshme me mjete jo tradicionale. Përtej sulmeve që i ka bërë me grupe paramilitare terroriste në Banjskë, në të njëjtën kohë shfrytëzon shumë propagandë për të krijuar frikë, provokime, tensione dhe për të tentuar që të kthehet dhuna në shtetin tonë dhe rajon”, tha Osmani.

Megjithatë, sipas së parës së vendit, Kosova nuk bie pre e provokimeve të Serbisë.

“Ne natyrisht që nuk biem pre e provokimeve të tilla. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të konfirmojmë e rikonfirmojnë lajmet që dalin, sidomos kur e kanë burimin në Serbi, sepse ato e kanë qëllimin e keq gjithnjë, siç e patëm rastin se kinse ka pasur gjuajtje nga Kosova drejt Serbisë, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë”, tha ajo.