Gjetja e 10 detonatorë afër Leposaviqit, Sveçla: Serbia me banda po planifikon sulme terroriste

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar fotografi të detonatorëve që u gjetën në afërsi të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit.

Ai tha se Serbia përmes bandave kriminale vazhdon të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Kosovë.

“Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq”, ka shkruar Sveçla.

Ai shtoi se Policia në veri po shmang dhe minimizon sulme të rënda.

“Shtrirja e Policisë së Kosovës, prania e institucioneve tona të sigurisë, ka bërë të mundur që të tilla mjete që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen e të shmangen apo minimizohen raste të sulmeve të rënda që për qëllim kanë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe kësisoj frikësimin e qytetarëve. Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë e mbi të gjitha Republika e Kosovës është e vendosur në luftën përballë bandave të tilla kriminale të cilave do t’i përgjigjet ashtu siç e meritojnë. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhënjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”, theksoi Sveçla./Zëri