Ruzhdi Shehu: Pas votave të mërgatës, thellohet fitorja jonë

Procesi i numërimit të votave të mërgatës ka konfirmuar edhe një herë epërsinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Junik. Kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu, ka reaguar sot pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke thënë se fitorja e tyre është thelluar ndjeshëm.

Shehu bëri të ditur se LDK ka fituar rreth 62% të votave të mërgatës, duke ruajtur bindshëm epërsinë ndaj koalicionit “Agron Kuçi, Jetmir Tofaj & Le Prof. de Paris Nezir Kraki”. Sipas tij, në total diferenca ndërmjet dy subjekteve tani arrin në rreth 550 vota.

Ai theksoi se ky rezultat hedh poshtë pretendimet për një diferencë prej “300 votash”, të cilat Shehu i cilësoi si propagandë.

“Kjo është arsyeja pse kemi qëndruar kaq të qetë përballë shpifjeve dhe ofendimeve, sepse kemi qenë të bindur se e vërteta dhe e drejta do të triumfojnë në fund”, ka shkruar ai.

Në postimin e tij, Shehu falënderoi të gjithë qytetarët e Junikut, si ata që jetojnë në vend ashtu edhe mërgatën, për përkrahjen e dhënë në këto zgjedhje. Ai u zotua se LDK do të vazhdojë punën për të gjithë qytetarët pa dallime politike.

“Të bashkuar si kurrë më parë, do të punojmë edhe më shumë për të gjithë junikasit. Urime Juniku im. Vazhdojmë +4 me ndershmëri dhe duar të pastërta”, shtoi ai.