Xherdan Shaqiri rrëfen prapaskenat e famshme të “shqiponjës dykrenore”: Provokimet nisën para ndeshjes nga Serbia

Xherdan Shaqiri, një nga futbollistët më të suksesshëm në historinë e Zvicrës, ka folur sërish për njërin prej momenteve më të përfolura të karrierës së tij: festimin me shqiponjën dykrenare pas golit kundër Serbisë në Botërorin “Rusia 2018”.

Bashkë me Granit Xhakën, të dy u bënë kryelajm në media botërore pas fitores 2-1, por edhe shënjestër e provokimeve që kishin nisur ditë të tëra para ndeshjes.

I ftuar në emisionin “Gredig direkt” në televizionin zviceran SRF, Shaqiri tregoi se çfarë kishte ndodhur prapa skenave në prag të asaj përballjeje.

“Shumë gjëra janë shkruar atëherë. Familjet tona dhe ne vetë u provokuam jashtëzakonisht shumë nga serbët para ndeshjes, sidomos në rrjetet sociale. Kjo na shtoi edhe më shumë motivin. Në fund të fundit, për ne rëndësi kishte vetëm fitorja sportive”, tha Shaqiri.

Ylli me prejardhje nga Zhegra e Gjilanit ka luajtur 125 ndeshje për Zvicrën, duke u bërë një nga futbollistët më të rëndësishëm të kombëtares helvetike. Ai foli edhe për çështje të tjera, si fëmijëria e vështirë, lidhja emocionale me Kosovën dhe mundësinë e rikthimit te Baseli.

Dueli Kosovë – Zvicër, me emocione të dyfishta për Shaqirin

Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës më 18 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” do të jetë një sfidë e veçantë për sulmuesin zviceran. Shaqiri nuk e fsheh dot emocionin që i sjell ky takim.

“Sigurisht se jam për të dyja, për Kosovën dhe Zvicrën. Por do ta mbështes ‘Nati’-n”, u shpreh ai.

Aktualisht, Zvicra kryeson grupin me 10 pikë, tre më shumë se Kosova. Nëse Kosova merr pikë ndaj Sllovenisë dhe Suedia e mposht Zvicrën, atëherë sfida në Prishtinë mund të kthehet në “finale” për vendin e parë në grup.

Shaqiri shtoi gjithashtu se Zvicra ka përfituar shumë nga personalitetet e ndryshme brenda ekipit dhe se “jo të gjithë zviceranët e kanë shpirtin luftarak të kosovarëve”, duke nënvizuar rolin e futbollistëve me prejardhje të huaj në sukseset e kombëtares. /t

elegrafi