PDK-ja e zhgënjyer nga PZAP-i për Mitrovicën: Do të ankohemi në Gjykatën Supreme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili sot ka refuzuar ankesën e partisë lidhur me parregullsitë e evidentuara në procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.
PDK-ja konsideron vendimin e PZAP-së si të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur.
Partia thotë se ka paraqitur fakte, dëshmi dhe dokumente që tregojnë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar sipas ligjit dhe standardeve demokratike.
PZAP-i hedh poshtë kërkesën e PDK-së për rivotim në Mitrovicë
“Ne nuk do të ndalemi. Do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Republika e Kosovës. Hapi ynë i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme, instanca përfundimtare dhe vendimtare për të garantuar drejtësi dhe integritet të procesit zgjedhor,” thuhet në komunikatën e PDK-së.
Partia nënvizon se qëllimi i saj është mbrojtja e votës së lirë, të drejtë dhe të pastër të qytetarëve dhe se nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektimin e ligjit dhe të vullnetit të shprehur të qytetarëve të Mitrovicës.
“Drejtësia do të vijë. Ne do të vazhdojmë deri në fund,” thuhet në komunikatë.