Zogaj: Kompania që u kontraktua për rezervat shtetërore ishte e lidhur ngushtë me “Ridin”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, bashkë me anëtarin e kësaj partie, Berat Rukiqi, kanë shpalosur dëmin që është shkaktuar në rastin e rezervave shtetërore e për të cilin tashmë Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres tash në detyrë, Rozeta Hajdari.

Zogaj, duke iu referuar aktakuzës, nënvizon dëmin që është shkaktuar prej rreth tre milionë eurosh, e pa çka tha se kjo nuk është thjesht një rast administrativ, por e prek edhe sigurinë kombëtare.

“Po flasim për një rast të rëndë, të dokumentuar tashmë edhe nga Prokuroria Speciale, që ndërlidhet me rezervat strategjike të shtetit të Republikës së Kosovës. Ky nuk është një rast thjesht administrativ, por prek sigurinë kombëtare, financat publike dhe integritetin institucional të shtetit tonë. Të gjitha faktet që unë dhe Berati do t’i paraqesim sot janë fakte nga aktakuza që tani është publike. E para, është dëmi financiar që i është shkaktuar buxhetit tonë. PSRK-ja ka theksuar se në këtë rast është shkaktuar dëm prej rreth 3 milionë euro ndaj buxhetit të Kosovës, dhe ky dëm përfshin rritjen artificiale të çmimit të grurit deri në 200 euro mbi çmimin e tregut në atë kohë, sasi të padorëzuara të mallrave të blera që janë kryesisht vaj dhe sheqer, kontrata të paligjshme të transportit të kryerjes së mallrave që e tejkalojnë kontratën origjinale dhe pagesa 100 për qind me avancë, që është në kundërshtim me të gjitha ligjet e vendit, por edhe me të gjitha praktikat e deritanishme”, tha ai.

Ai më tej foli për shkeljen tjetër duke thënë se “shkelja e dytë e madhe: kemi të bëjmë me favorizim të kompanive, me çmime të fryra, por edhe me procedurë tërësisht të mbyllur, që njihet si procedurë me negocim, e që është krejtësisht në kundërshtim me ligjin e prokurimit”.

Zogaj madje ka përmendur edhe çmimin e grurit që është dhënë me kontraktim dhe diferenca për çmimit të tregut, e që është 193 euro për ton.

“Në këtë kontratë të negociuar, që ne e quajmë edhe kontratë sekrete, çmimi i kontraktuar i grurit ishte 483 euro për ton, kurse çmimi real i tregut në atë kohë ishte 290 euro për ton. Pra, diferenca është diku 193 euro për ton, dhe dëmi total i shkaktuar buxhetit është rreth 2 milionë euro në tërësi vetëm nga ky element i kontratës”, tha Zogaj.

Ai e ka quajtur edhe skandal përfshirjen e personave që nuk kanë ushtaur asnjë pozitë zyrtare, e që bëhet fjalë për Ridvan Muharremin apo siç e quajnë “Ridi”.

“Përfshirja e personave privat në vendimmarrjen shtetërore është një skandal i paprecedent institucional. Prokuroria thekson se një person privat me emrin Ridvan Muharremi, pa asnjë rol zyrtar në shtetin tonë, ka negociuar këto kontrata, ka zgjedhur operatorët ekonomikë dhe ka marrë dokumente të brendshme institucionale, që konsiderohen edhe dokumente shtetërore, dhe ato i ka ndarë në grupin WhatsApp të krijuar nga vetë ministrja. Ky është një nivel i pastër i kapjes së procesit të furnizimeve strategjike shtetërore nga persona privatë jashtë institucioneve, dhe normalisht që kjo përbën një rrezik të paprecedent për sigurinë e vendit tonë. Këtu kemi të bëjmë edhe me zbulesën e fshehtësisë zyrtare në këtë aktakuzë, e cila është vepër penale. Prokuroria thekson se Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare shtetërore. Të dhënat janë dorëzuar nga një person privat, në këtë rast Ridvan Muharremi, për vendndodhjen e depove të rezervave shtetërore, planin vjetor të furnizimit të rezervave shtetërore, sasinë e mallrave strategjike dhe dokumente të tjera konfidenciale.

Të gjitha këto informacione, sipas ligjit, konsiderohen sekret shtetëror dhe janë ndarë mes tyre përmes WhatsApp dhe email-it zyrtar. Pra një proces i paparë e i paprecedent përmes WhatsApp-it. Pra ky shtet po na bëhet WhatsApp”, theksoi ai.