Rama i bën jehonë takimit me qeverinë “Meloni”: Ditë historike, do të nënshkruhen 16 marrëveshje
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë jehonë takimit mes Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, që do të zhvillohet gjatë ditës së sotme (enjte) në Romë.
Teksa e cilëson mbledhjen e përbashkët si një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, Rama shton se gjatë takimit pritet të nënshkruhen 16 marrëveshje që do të forcojnë më tej partneritetin mes dy vendeve.
“Me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Italia dhe Shqipëria zhvillojnë sot në Romë Samitin e parë ndërqeveritar, një ngjarje historike që shënon një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Takimi do të mbahet në Villa Pamphili, duke nisur në orën 11:30, dhe do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ky është samiti i parë i këtij niveli midis qeverive të dy vendeve, që synon forcimin e partneritetit strategjik mes Romës dhe Tiranës, me fokus në tri fusha kryesore: mbrojtjen, industrinë dhe emigracionin.