Turistët paguan 70 mijë paund për të qëlluar civilë për kënaqësi gjatë luftës në Sajrajevë, Italia nis hetimet
Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj disa turistëve italianë që dyshohet se kanë paguar 70 mijë paund për të qëlluar mbi njerëz të pafajshëm në një “safari ndaj njerëzve” gjatë udhëtimeve të gjuetisë në Sarajevë — me tarifa shtesë për vrasjen e fëmijëve.
Këta pasanikë, adhurues të armëve nga jashtë vendit, akuzohen se kanë udhëtuar drejt qytetit për “turizëm snajperësh” gjatë rrethimit katërvjeçar të Sarajevës nga milicitë serbo-boshnjake në vitet ’90, në kulmin e Luftës së Bosnjës.
Midis viteve 1992 dhe 1996, më shumë se 10 mijë njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet dhe zjarri i snajperëve, gjatë rrethimit më të gjatë të një kryeqyteti në historinë e luftës moderne.
Turistët, që dyshohet se kishin lidhje me qarqe të ekstremit të djathtë, thuhet se paguanin anëtarë të ushtrisë serbo-boshnjake për udhëtime fundjave drejt qytetit të rrethuar, ku merrnin pjesë në masakrimin e banorëve për qejf.
Sipas dosjes së hetimit, ata fluturonin nga Trieste në Beograd me linjën ajrore serbe Aviogenex për t’u bërë “snajperë fundjave” dhe për t’u bashkuar në rrethimin e përgjakshëm, duke paguar midis 70 mijë dhe 88 mijë paund.
Vrasja e fëmijëve kushtonte më shumë, sipas raportimit të El País.
Hetimi nisi nga një ankesë ligjore 17-faqëshe e paraqitur nga shkrimtari dhe gazetari me bazë në Milano, Ezio Gavazzeni, me mbështetjen e ish-magjistratit Guido Salvini dhe Benjamina Karië, kryebashkiake e Sarajevës nga viti 2021 deri më 2024.
Akuza u sollën në vëmendje pas dokumentarit të vitit 2022 “Sarajevo Safari” nga regjisori slloven Miran Zupanië, i cili mblodhi dëshmi mbi mundësinë që italianë dhe shtetas të tjerë të pasur të kishin paguar për të udhëtuar në Sarajevë e për të qëlluar mbi banorët e saj.
Turistët akuzohen se kanë paguar shuma të mëdha parash për trupat e ushtrisë së Radovan Karaxhiçit, ish-udhëheqësit serbo-boshnjak, i cili në vitin 2016 u dënua me 40 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit.
Të huajt e pasur dyshohet se janë transportuar në kodrat përreth Sarajevës për të qëlluar mbi kalimtarë të rastësishëm, jetët e të cilëve ishin të mbushura me frikën e përhershme se mund të bëheshin shënjestër e snajperëve gjatë rrethimit të qytetit.
Rrugë si ‘Ulica Zmaja od Bosne’ dhe bulevardi ‘Meša Selimovië’, rruga kryesore që të çon në Sarajevë, u quajtën “Rruga e Snajperëve” për shkak të rrezikut ekstrem që përbënin për banorët.
Megjithatë, bulevardi ‘Meša Selimovië’ nuk mund të shmangej, pasi ishte rruga që të çonte drejt aeroportit të Sarajevës.
Prokuroria e Përgjithshme e Bosnjës, sipas raportimeve, e kishte pezulluar hetimin mbi “turizmin e snajperëve” për shkak të vështirësisë që përbënte një rast i tillë në një vend ende thellësisht të lënduar dhe të përçarë nga lufta, tha Gavazzeni për La Repubblica të martën.
“Po flasim për njerëz të pasur, me reputacion — biznesmenë — të cilët gjatë rrethimit të Sarajevës paguan për të vrarë civilë të paarmatosur. Ata niseshin nga Trieste për një ‘gjueti njerëzish’ dhe pastaj ktheheshin në jetën e tyre të respektuar të përditshme,” tha ai.
Prokurori kryesor, Alessandro Gobbi, thuhet se ka një listë me disa persona që mund të ofrojnë dëshmi dhe që pritet të thirren për të dëshmuar.
Sipas Gavazzenit, mund të jenë deri në 100 turistë që morën pjesë në këto vrasje masive të civilëve për “sport fundjave”.
Rasti përmend një biznesmen nga Milano, pronar i një klinike private kirurgjie estetike, si dhe qytetarë nga Torino dhe Trieste, sipas El País.
“Shpresoj që të mund të gjejnë të paktën një ose dy, ndoshta 10,” tha ai.
Gazetari tha se një nga dëshmitarët përfshin një agjent të inteligjencës boshnjake me inicialet E. S., i cili pretendoi se shërbimi italian i inteligjencës kishte informacion mbi akuzat që në vitin 1993 dhe se dosjet e klasifikuara për këtë rast ekzistojnë ende.
Sipas dëshmitarit, inteligjenca boshnjake kishte paralajmëruar për praninë e të paktën pesë italianëve në kodrat përreth Sarajevës, të shoqëruar atje për të qëlluar mbi civilët.
Dëshmitarë të tjerë përfshijnë një zyrtar slloven të inteligjencës, viktima, dhe një zjarrfikës të plagosur, i cili gjatë procesit gjyqësor të liderit serb Slobodan Millosheviç në Hagë në vitin 2002, përshkroi “snajperë turistë” me veshje dhe armë të dallueshme që i veçonin nga ushtarët serbë.
Konsulli boshnjak në Milano, Dag Dumrukcic, tha për La Repubblica se Italia kishte “bashkëpunimin e plotë” të qeverisë së vendit të tij.
“Jemi të etur të zbulojmë të vërtetën për një çështje kaq mizore dhe të llogarisim me të kaluarën. Jam i vetëdijshëm për disa informacione që do të kontribuoj në hetim,” tha ai.