Zëvendëskomandanti i FSK-së pjesë e takimin për siguri dhe mbrojtje të Mbretërisë së Bashkuar
Zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral major Enver Cikaqi, mori pjesë në takimin e organizuar nga e dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, me udhëheqësit ushtarakë të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës.
FSK-ja ka njoftuar se takimi u zhvillua në një anije të Forcave Detare Britanike, ku u diskutua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe rolit të iniciativave të përbashkëta në përballimin e sfidave të sigurisë në rajon.
“Në fokus të diskutimeve ishte situata e sigurisë dhe efekti i agresionit në Ukrainë në kete pjesë të Europës, si dhe përballimi i emergjencave që po sfidojnë vendet tona, me theks të veçantë në nevojën për mbështetje ushtarake ndaj autoriteteve civile dhe koordinim të ngushtë ndërmjet vendeve të rajonit”
“Në përmbyllje të takimit, pjesëmarrësit u pajtuan se mbështetja britanike dhe ndërmarrja e hapave konkretë në kuadër të iniciativave rajonale janë thelbësore për avancimin e bashkëpunimit dhe ndërtimin e një Ballkani më të sigurt dhe më stabil”, thuhet në njoftim. /Zëri