Hajdari flet para përballjes me Slloveninë: Udhëtojmë për t’i marrë tri pikët

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar me stërvitje para përballjes me Slloveninë.

Në këtë stërvitje, Dardanët janë përqendruar kryesisht në aspektin taktik dhe në zbatimin e filozofisë së lojës që përzgjedhësi Foda synon ta aplikojë në ndeshjen e parë të këtij muaji, atë kundër Sllovenisë.

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, pas stërvitjeve ka folur duke thënë se atmosfera është shumë e mirë dhe synojnë pikët maksimale ndaj Sllovenisë.

“Atmosfera është shumë e mirë. Ne jemi gati. Stërvitja është shumë intensive dhe kualiteti shumë i mirë dhe deri tash gjithçka ka shkuar mirë. Ne do të përgatisim lojën kundër Sllovenisë për të marrë maksimumin, 3 pikët".

"Nuk është e lehtë të analizohet kundërshtari, sepse ndeshjen e parë e kemi luajtur këtu në ‘Fadil Vokrri’, kurse tani luajmë në Lubjanë".

"E dimë se na pret një ndeshje e vështirë, por trajneri është duke na përgatitur shumë mirë që në ditën e lojës ta japim maksimumin”, tha Hajdari.