Arifi: Në vend se t’i thërriste liderët në takim, Konjufca lobonte në Gjakovë

Avni Arifi, ish-diplomat dhe analist politik, ka thënë se nuk pret që Glauk Konjufca të formojë qeverinë e re, pasi nuk ka numra.

Ai tha se VV-ja nuk mund të kushtëzojë formimin e qeverisë që të jetë vetëm Vetëvendosje dhe se derisa nuk ka numra, duhet të ulet me partitë tjera e të diskutojë për marrëveshje.

“Nuk është në dorë të opozitës që të formohet qeveria. Nëse s’i ke numrat, i thërret opozitën dhe u thotë “çka po bëjmë”. Nuk mund të thuash duhet vetëm qeveri e Vetëvendosjes – Kur s’i ke numrat, pazaret janë pak më ndryshe”, u shpreh Arifi.

Po ashtu, ai theksoi se Konjufca në vend se të thërriste takim me liderët e partive tjera, ai në ditën e zgjedhjeve të balotazhit, kishte shkuar në Gjakovë për ët lobuar për Ardian Golën.

“Glauku në vend se t’i thërriste liderët e partive për të diskutuar për qeverinë, ai kishte shkuar në Gjakovë dhe bënte fushatë, donte t’i ndihmonte Ardian Golës që të fitonte”, potencoi ai për gazetën Blic.

Sipas tij, s’po shihet që ka përpjekje për bërjen e numrave, përpos nëse po e bëjnë këtë me kontrabandë.

“Punën s’po ia bëjnë, nuk po përpiqen që t’i bëjnë votat, përpos nëse janë duke u përpjekur në mënyrë të kontrabandës e ajo dihet vetëm në ditën e votimit”, vlerësoi Arifi.

Ai shton se zgjedhjet janë obligative të shpallen nga presidentja, nëse Konjufca nuk e formon qeverinë.

“Nëse Glauk Konjufca nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë presidentja është e obliguar që t’i shpallë zgjedhjet, janë 30 deri në 45 ditë për zgjedhje”.

I pyetur nëse mund të përsëritet një situatë e tillë e bllokadës për disa muaj, nëse kemi rezultat të ngjashëm në zgjedhje, Arifi thotë se kjo do të varet nga mënyra si është parë bllokada nga qytetarët, teksa shton se LVV-ja do ta përdorë tërë aparatin shtetëror në zgjedhje.

“Është herët të dihet, varet si qytetarët e kanë parë këtë bllokadën e krijuar nga LVV-ja. Por ajo që dihet është se LVV-ja do ta përdorë tërë aparatin shtetëror, ndoshta do ta kenë fatin pensionistët që t’i rriten sërish pensionet, edhe pse nuk është e ligjshme. Por nëse shkohet në zgjedhje në dhjetor, do të jenë partitë tjera në njërën anë dhe shteti në anën tjetër, LVV”, ka deklaruar Avni Arifi. /gazetablic