Krasniqi: Mitrovica duhet të shkojë në rivotim, ka dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor
Albert Krasniqi, nga Demokracia Plus, ka reaguar pas situatës së krijuar në jug të Mitrovicës me fletëvotimet.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se këto rezultate ngrenë dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor, shkruan Zeri.info.
Ai ka thënë se duke e parë situatën, Mitrovica e Jugut duhet të shkojë në rivotim.
“Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë. Nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota jonë vlen. Po bëjmë regres, për të mbrojtur diçka që e kishim tejkaluar: zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Reagimi i plotë i Krasniqit, pa ndërhyrje:
Rezultatet e raundit të dytë në Mitrovicë ngrenë dyshime të forta për manipulim të procesit zgjedhor. Faktet janë kokëforta:
1. Exit poll-i nuk përputhet me rezultatet zyrtare – vetëm në Mitrovicë.
2. Pjesëmarrja më e madhe se në raundin e parë – ndër komunat e mëdha, vetëm në Mitrovicë.
3. Kandidati i vetëm që ka marrë më pak vota se në raundin e parë - sërish vetëm në Mitrovicë.
4. Fletëvotime të gabuara që nuk i përkasin vendvotimit.
Përtej fakteve zgjedhore, menaxhimi institucional ka qenë i papranueshëm:
5. KQZ u ngut ta shpallë “gabim teknik” pa hetim paraprak.
6. Kompania e shtypjes mori përgjegjësinë brenda pak orësh - pa asnjë verifikim serioz.
7. Prokuroria u mjaftua me deklarata të kompanisë.
8. Tenderi u dha si kontratë njëburimor, ndonëse kishte kohë të mjaftueshme për konkurrencë.
9. Kompania ka lidhje të njohura me eksponentë të partisë në pushtet.
10. Shteti dhe burimet publike janë keqpërdorur për qëllime elektorale - kush e përdor aparatin shtetëror për pushtet, mund ta përdorë edhe për vota.
Mitrovica duhet të shkojë në rivotim për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe demokracinë. Nëse e pranojmë këtë si “gabim teknik”, nesër asgjë s’do të garantojë që vota jonë vlen. Po bëjmë regres, për të mbrojtur diçka që e kishim tejkaluar: zgjedhjet e lira dhe të ndershme. /Zëri