Porkuroria: Hajdari dhe tre të tjerët akuzohen se dëmtuan buxhetin e shtetit afër 3 milionë euro me rezervat shtetërore

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se, ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari., I.L. dhe H.G nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa ndaj R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas prkurorisë, të lartpërmendurit dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me gati 3 milionë euro, transmeton Zeri.info.

“Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G., akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, Në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, njofton Prokuroria.

“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M”.

Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore. /Zëri