Dyshimet, heshtja dhe misteri rreth rastit Vukashinoviq

Rasti i Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, për të cilin autoritetet e Kosovës dyshojnë se u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria serbe, vazhdon të shkaktojë spekulime në publik, pasi autoritetet serbe nuk dhanë asnjë deklaratë – edhe dhjetë ditë pas incidentit.

Ngjarja ndodhi në një pikëkalim të paregjistruar me Serbinë, në fshatin Jellakcë, në veri të Kosovës.

Publiku, fillimisht, u njoftua nga avokati Ivan Niniq, i cili e përfaqëson familjen Vukashinoviq.

Ai shprehu dyshime se në këtë rast mund të jetë e përfshirë edhe Ushtria e Serbisë.

Në Prokurorinë e Lartë në Prokuple të Serbisë, ai dorëzoi kallëzim penal për vrasje të rëndë në tentativë kundër pjesëtarëve të panjohur të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe kundër Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe.

Në vitin 2023, Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Në kallëzimin penal, avokati Niniq tha se Millan Vukashinoviq kishte “traditë të gjatë të konfliktit personal me Millan Radoiçiqin” dhe se ekzistonin “arsye të justifikuara që i dëmtuari të rrëmbehej dhe të lihej pa jetë në rrethana të paqarta”.

Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk dha asnjë deklaratë për këtë rast dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me të.

Çfarë i ndodhi Vukashinoviqit më 1 nëntor?

Avokati Ivan Niniq i tha më herët Radios Evropa e Lirë se më 1 nëntor, Millan Vukashinoviq nga Leposaviqi u drejtua drejt pikëkalimit në fshatin Jellakcë, ku kishte planifikuar të takohej me një mik, i cili është anëtar aktiv i Ushtrisë së Serbisë, por nuk u kthye më në shtëpi.

Niniq tha se dyshon se Vukashinoviq, në këtë mënyrë, u “tërhoq”, në kuadër të një operacioni më të gjerë të organeve serbe të sigurisë.

Vukashinoviq i telefonoi nënës së tij, Dragana Vukashinoviq, nga një autoambulancë, për t’i thënë se ishte i plagosur.

Sipas informacioneve të Niniqit, në incident morën pjesë persona të maskuar, me uniforma pa shenja identifikuese dhe me automjete pa targa, ndërsa Vukashinoviq u dërgua fillimisht në spitalin e Prokuples dhe më pas në Nish, ku i u hoq një veshkë dhe mbeti në gjendje të rëndë.

Kush po e heton rastin?

Zyra e Prokurorit në Mitrovicë i tha Radios Evropa e Lirë se një person i afërt me Vukashinoviqin është marrë në pyetje dhe se rasti po hetohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, por se, në këtë fazë të hetimit, nuk mund të zbulohen më shumë detaje.

Avokati Niniq, ndërkohë, postoi në X një fotografi të një makine ‘Lada Niva’ të shkatërruar dhe pretendoi se i përkiste Vukashinoviqit.

Ai i bëri thirrje misionit për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, dhe misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, që të reagojnë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi EULEX-in dhe KFOR-in për t’i pyetur nëse ishin të informuar për detajet e hetimit për këtë rast.

Përgjigje mori vetëm nga KFOR-i, i cili është përgjegjës për zonën kufitare. Aty thuhet se Policia e Kosovës ka nisur një hetim dhe se po punon ngushtë me disa subjekte, përfshirë KFOR-in.

“Policia e Kosovës i ka koordinuar aktivitetet e saj në anën e Kosovës të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, thuhet në përgjigje, ku, po ashtu, theksohet se situata në pikat kufitare Kosovë-Serbi është e qetë.

Policia e Kosovës e informoi publikun për rastin Vukashinoviq më 3 nëntor, duke deklaruar se dëshmitarë okularë janë marrë në pyetje dhe se prej tyre është marrë informacioni se “persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Kosovës, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën dhe më pas e kanë çuar në territorin e Serbisë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti më 11 nëntor se rrëmbimi i dyshuar i qytetarit të Kosovës nga Xhandarmëria serbe është “një provokim i rëndë”.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët se sulmet e Serbisë kanë për qëllim disiplinimin e serbëve.

Pse hesht Serbia?

Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, vlerëson se shteti serb është “ngatërruar” në punët që kryen me grupe paraushtarake ose paramilitare që “po marrin kontrollin”.

“Ata (autoritetet serbe) do të gjejnë dikë për të akuzuar… Shumë njerëz janë akuzuar për spiunazh ose terrorizëm në Serbi. Kjo është një mantër dhe askush nuk beson më në të”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas vlerësimit të tij, problem shumë më i madh për Serbinë është se “para-grupe” të ndryshme po rriten dhe se autoritetet e sigurisë nuk mund t’i kontrollojnë ato.

Serbia, më herët, ka akuzuar disa serbë për spiunazh për Kosovën, ndërsa në Kosovë janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore për spiunazh në favor të shërbimeve sekrete serbe.

Akuzat e spiunazhit prapa skenave

Tabloidet serbe, si “Kurir”, raportuan në fund të javës së kaluar se Agjencia për Siguri dhe Informacion e Serbisë (BIA) ka arrestuar në rajonin e Rashkës “spiunë”, që dyshohet se u kanë transmetuar informacione shërbimeve sekrete të Kosovës.

Sipas raportimit, ky veprim ishte rezultat i një hetimi disamujor dhe vazhdim i aksionit të 1 nëntorit, kur u arrestua Millan Vukshinoviq.

Gjithashtu, pretendohet se Vukashinoviq u përpoq të arratisej gjatë arrestimit të tij dhe se shërbimet serbe të sigurisë përdorën armë zjarri.

Vukashinoviqit, sipas këtij raporti, iu dha ndihmë mjekësore pas plagosjes dhe për trajtim u transportua në Qendrën Klinike Spitalore në Nish.

Dyshohet se iu shqiptua edhe masa e paraburgimit, por informacion zyrtar për këtë nuk ka.

BIA nuk i komentoi këto arrestime dhe nuk tha nëse operacioni është i lidhur me rastin Vukashinoviq.

Avokati Ivan Niniq, në anën tjetër, thotë se nuk e di nëse klienti i tij është akuzuar për ndonjë krim dhe se nuk ka asnjë institucion me të cilin mund të komunikojë, sepse autoritetet serbe nuk japin informacione.

Por, narrativi se Millan Vukashinoviq është “spiun” po përhapet përmes kanaleve në Telegram.

Më 8 nëntor, kanali “Koridor”, i cili ka mbi 10.000 përdorues, shkroi se “çdo spiun do të ndëshkohet”.

Me mesazhin se “një nga spiunët më të mëdhenj dhe më të respektuar është në duart tona”, u publikuan edhe fotografi të postimeve të mëparshme, duke përfshirë një listë të serbëve që dyshohet se bashkëpunojnë me shërbimet e inteligjencës në Kosovë.

Kjo listë përfshin edhe emrin e Millan Vukashinoviqit, me nofkën “Duduk”.

Radio Evropa e Lirë, bazuar në mjetet për njohje të fytyrës, përcaktoi se Vukashinoviq është i njëjti person që foli publikisht për presionet që iu bënë, më 28 qershor të këtij viti, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb, Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV në Serbi.

Në atë rast, ai tha se serbët ishin larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, nën presionin e Listës Serbe, dhe pretendoi se ai, personalisht, ka presion dhe se nuk ndihet i sigurt të shkojë në Serbi, sepse nuk dëshiron të japë dorëheqje.

Më pas, në kanalin e Telegramit “Koridor”, Vukashinoviq u quajt “tradhtar” dhe “spiun”.

Më herët, ky kanal ishte i regjistruar si “Brigada e Veriut”. Këtë të fundit, Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste në vitin 2023.

Kush po lufton spiunazhin?

Janjiq thotë se nuk është i befasuar nga incidenti i lidhur me Millan Vukashinoviqin dhe nuk e përjashton mundësinë që, siç shprehet, të kenë qenë të përfshira edhe struktura paraushtarake.

Ai aludon tek anëtarët e një grupi të armatosur serbësh të udhëhequr nga Radoiçiq, të cilët kryen sulmin në Banjskë, në vitin 2023.

Janjiq, gjithashtu, beson se rasti i Vukashinoviqit është i lidhur me “luftën kundër spiunazhit” që përfshin udhëheqësit e njësive paraushtarake, të cilat BIA, sipas tij, “nuk mund t’i kontrollojë”.

“BIA, në fakt, nuk është më një institucion kontrolli, është një kanal përmes të cilit ata kalojnë”, thotë Janjiq dhe shton se Kosova, kohë më parë, “është shndërruar në një përballje të brendshme politike midis serbëve”.

“Ne e dimë se në Kosovë, ndërsa po formohej Lista Serbe [e cila kontrollohet nga Beogradi], nuk ishte kurrë problem të hidhje një koktej molotovi ndaj dikujt, t’i vije flakën makinës së dikujt…”, thekson Janjiq.

Lidhje me agjencitë e sigurisë?

Janjiq thotë se pjesëtarët e ‘grupit Banjska’ ishin “vullnetarë të stërvitjes ushtarake” në Serbi.

Kosova e karakterizoi këtë grup si terrorist dhe tha se me ndihmën e Ushtrisë së Serbisë planifikoi aneksimin e veriut të Kosovës – gjë të cilën Beogradi e mohoi.

Autoritetet kosovare thanë se kanë prova se përgatitjet, stërvitjet dhe ushtrimet e grupit të armatosur janë kryer në bazën “Pasulanske livade” pranë Jagodinës në Serbi dhe në Kopaonik.

Në përgjigje, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, tha se të gjithë qytetarët e moshës 18 deri në 60 vjeç u nënshtrohen stërvitjeve dhe se është “e drejtë dhe detyrim” i qytetarëve që t’i përgjigjen thirrjes për ushtrime ushtarake.

Megjithatë, ai mohoi që Radoiçiq ka marrë pjesë në ushtrimet ushtarake.

Janjiq thotë se, aktualisht, në Serbi nuk dihet se kush janë parapolicët ose paramilitarët.

“Këta janë njerëz që, aktualisht, po bëjnë një punë shumë të rëndësishme, siç e sheh [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiq, në mbrojtje të autoritetit të tij”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në fillim të qershorit, një video që qarkulloi në mediat sociale, tregonte njerëz nga ‘grupi i Banjskës’ në një protestë përpara Presidencës serbe në Beograd.

Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të identifikonte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut – njërin nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës për sulmin në Banjskë – si pjesë të grupit. Bazuar në pamjet nga mediat sociale, REL-i identifikoi së paku 11 persona të mbledhur në grupe të ndryshme – të gjithë të veshur me bluza të njëjta, ngjyrë ulliri. /REL