U vra me breshëri plumbash në Rinas – Kush ishte Gilmando Dani, të cilit iu bë atentat edhe dy herë të tjera

U vra me breshëri plumbash në Rinas – Kush ishte Gilmando Dani, të cilit iu bë atentat edhe dy herë të tjera, para një viti doli nga burgu

Gilmando Dani, 36 vjeç, mbeti i vrarë mesditën e kësaj të marte pranë aeroportit të Rinasit, pasi u qëllua me breshëri plumbash.

Dani ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare e po ashtu i njohur edhe për lidhjet e tij shoqërore me Emiljano Shullazin.

36-vjeçari ka rënë pre e atentateve edhe dy herë të tjera, në vitin 2011 si dhe në 2015. Vetëm një vit më parë, në tetor 2024 ai u lirua nga burgu.

Dani ka qenë në qendër të vëmendjes së policisë sidomos pas ngjarjes së 7 gushtit 2009, kur Dritan Dajti vrau katër efektivë policie në Durrës. Në atë kohë, banesa e Danit u kontrollua, pasi dyshohej se ai mund të kishte qenë në zonë ditën e ngjarjes.

Më vonë, policia sqaroi se ai ndodhej në Tiranë dhe se nuk rezultonte të kishte patur lidhje me masakrën në Durrës. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda i bllokoi për disa ditë pasaportën, masë e cila u hoq pasi nuk u gjetën prova që ta implikonin.

Emri i tij është përmendur shpesh në operacione policore, thirrje për verifikim dhe procedura kontrolli, të bazuara kryesisht në informacionet operative që lidhnin rrethin e tij shoqëror me individë të tjerë të hetuar për veprimtari kriminale./Tch