Dyshimet për “tren bullgar”, Sumiçi: Prokurori njëanshëm bën presion që të vazhdojë procesi i rinumërimit

Kryesues i Qendrës Komunale të Numërimit (QKN) nga PDK-ja, Jahir Sumiçi, ka treguar për dyshimet që patën fletëvotimet dhe lëvizja e tyre nga një klasë në tjetrën, nga një klasë në tjetrën dhe nga një shkollë në tjetrën.

Pas shkuarjes së Policisë dhe prokurorit, ai tha se prokurori i rastit ka bërë presion që të vazhdohet rinumërimi, por që PDK-ja e ka refuzuar këtë.

Ai për media tha se kanë gjetur fletëvotime që nuk janë përputhur me numrat e fletëvotimeve.

“Është ndërprerë numri i votave në QKN, ajo çfarë është parë nga mëngjesi i orës 10:00 deri në orën 19:00 janë dyshimet tona të bazuara dhe të faktuara të cilat janë grumbulluar dhe janë shfaqur. Ne që kemi qenë në ndërrimin e pasdites, edhe pse ka pasur që nga mëngjesi dyshime për manipulim të votës dhe për devijim të votës, e kemi bojkotuar, pastaj e kemi thirrur edhe policinë. Policia ka vazhduar me organet e tjera kompetente dhe është ndërprerë numërimi i votave. Ajo çfarë është gjetur brenda kutive lë dyshime të hapura për manipulim dhe devijim të votës dhe të vullnetit qytetar në qytetin e Mitrovicës. Kemi gjetur fletëvotime që nuk janë përputhur me numrat e vendvotimeve. Pra kemi fletëvotime që kanë lëvizur nga klasa në klasë. Kemi fletëvotime që kanë lëvizur nga shkolla në shkollë. Të gjitha janë të faktuara, të gjitha janë të dokumentuara”, tha ai.

Ai ka treguar edhe pse e bojkotuan qendrën.

“Prokurori i rastit, i cili ka ardhur ka tentuar në mënyrë ad hoc edhe të njëanshme të na bëjë presion që të vazhdojë procesi i rinumërimit, mirëpo ne si PDK kemi refuzuar që të vazhdojë rinumërimi, me ç’rast e kemi bojkotuar numrin dhe punën pastaj, e pastaj që kanë ardhur organet gjegjëse edhe zyrtarisht e kanë ndërprerë numërimin. Nga ora 10 deri ora 19 të mbrëmjes janë hapur 35 kuti apo vendvotime, prej tyre 10 vendvotime kanë fletëvotime të cilat kanë lëvizur nga klasa në klasë, nga shkolla në shkollë. Mund të jetë 1-2 ose 3, po e zëmë hipotetikisht gabime që mund të jenë në fletëvotime të shtypura, mirëpo janë 10 vendvotime, 10 kuti të cilat janë hapur dhe në të gjitha ka mospërputhje dhe ka dallim në mes të numrave serikë dhe në mes të numrave të vendvotimeve”, tha ai.

Ai ka insistuar në atë se ka pas presion nga prokurori, i cili më pas është zëvendësuar edhe me kryeprokurorin.

“Pas gjetjeve që i kemi pasur në kuti, fletëvotime që kanë lëvizur nga klasa në klasë dhe nga shkolla në shkollë, e kemi lajmëruar policinë e Kosovës dhe ajo ka ardhur në vendin e ngjarjes, kemi dhënë të gjithë intervista për policinë dhe më pas policia e ka lajmëruar hetuesin e më pas hetuesia e ka thirr prokurorin e rastit. Prokurori në momentin që ka ardh ka thënë se asgjë nuk është e jashtëzakonshme dhe se procesi mund të vazhdojë normal duke na bërë presion duke qenë presion i njëanshëm në mënyrë që ne të vazhdojmë mirëpo ne kemi refuzuar të vazhdojmë për shkak se nuk duam ta shkelim ligjin në asnjë mënyrë. Shteti i Kosovës i ka ligjet e veta dhe ne si qytetarë kemi luftuar që ti kemi ligjet dhe në asnjë mënyrë nuk i cenojmë integritetin e asnjë punëtori tonë. Fillimisht po kemi pasur presion prej prokurorit më pas prokurori është zëvendësuar me kryeprokurorin dhe pastaj ka vazhdu procesi mu ndërpre”, tha ai. /eo