Hill: Po kërkonim të gjenim njerëz të UÇK-së në Drenicë

Përgjatë dëshmisë së tij, Hilli po diskuton me prokurorin për një udhëtim që e ka realizuar me disa zyrtarë amerikanë dhe shqiptarë me makinë, në kërkim të njerëzve të UÇK-së në Drenicë, për të diskutuar situatën e atëhershme.

Duke folur prej perspektivës sot, Hilli ka thënë se ka qenë ide e keqe që të realizohej ai udhëtim, meqë përgjatë rrugës ka pasur shumë të shtëna, që mund t’ua rrezikonin jetën.

Hilli ka kujtuar që i është thënë se të shtënat janë kryer nga forcat serbe, për t'ua pamundësuar një takim me njerëzit e UÇK-së.

"Kjo përpjekje për të shkuar në vende si në Kijevë dhe Shtime, dhe vende të tjera, ishin përpjekje për të gjetur njerëz të UÇK-së, sepse në atë periudhë kohore nuk e dinim kush fliste në emër të UÇK-së. Ky ishte frustrim i vazhdueshëm për neve kur dëgjonim njerëzit që thoshin se kush ishte përgjegjësi i gjërave dhe më pas thoshin ‘jo nuk është ky, është dikush tjetër’. Pra, ishte një situatë në të cilën ne nuk mund të mbështeteshim te të tjerët, duhej të shkonim dhe ta shihnim vetë”.