Krasniqi: Vota është e shenjtë në demokraci, PDK-ja e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas parregullsive që janë shfaqur në jug të Mitrovicës.

Krasniqi ka thënë se menjëherë pas njoftimit nga komisionerët në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se PDK-ja do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Prej mbrëmë, menjëherë pas njoftimit nga komisionerët tanë në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve. Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse. Sot, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, në orën 12:00, në selinë e partisë do të ketë një konferencë për media për të bërë të ditura detajet dhe veprimet tona lidhur me këtë çështje.

“Ne besojmë se çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë sonë. Prandaj, kur ekzistojnë dyshime apo paqartësi në proces, është e drejtë dhe detyrë ligjore që ato të shqyrtohen me kujdes dhe plotësisht nga institucionet përkatëse. Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë”, ka thënë ai.

“Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK-ja është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e vërtetë të votuesve me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë”, theksoi Krasniqi. /Zëri