Kurti takohet me drejtuesin e Helvetas, flasin për thellim të bashkëpunimit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtuesit e Helvetas Swiss Intercooperation: drejtorin ekzekutiv, Melchior Lengsfeld; drejtorin rajonal për Evropën Lindore, Matthias Herr; drejtorin e Helvetas në Kosovë, Ertan Munoglu; dhe zyrtaren e lartë të Helvetas në Kosovë, Mimoza Shehu Musa.

Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e gjatë dhe të frytshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Helvetas, e cila prej më shumë se dy dekadash kontribuon në zhvillimin ekonomik, përfshirjen sociale dhe qeverisjen e mirë në vend, njofton zyra për informim e kryeministrit.

Bëhet e ditur se me këtë rast Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e Helvetas që nga viti 2001, veçanërisht përmes projekteve si DEMOS, që mbështet 38 komuna për qeverisje lokale demokratike; GPEK, që ndihmon tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër; dhe RECONOMY, që fuqizon gratë dhe të rinjtë për mundësi të reja punësimi. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha me prioritet si zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, përfshirja e diasporës dhe përmirësimi i shërbimeve publike.

Drejtori ekzekutiv i Helvetas, Melchior Lengsfeld, vlerësoi progresin e Kosovës në zhvillim institucional dhe demokratik, si dhe gatishmërinë e Qeverisë për partneritet strategjik, duke theksuar përkushtimin e organizatës për të vazhduar mbështetjen në fushat e qeverisjes lokale, zhvillimit ekonomik dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Gjithashtu bëhet e ditur se palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të projekteve aktuale dhe për të identifikuar mundësi të reja që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë.