Thaçit s’i hiqen kufizimet në vizita në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Në rishikimin, i cili bëhet çdo tre muaj për masat e vendosura në Qendrën e Paraburgimit në Hagë ndaj Hashim Thaçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, është vendosur që këto masa sa u përket vizitave të paprivilegjuara të vazhdojnë ende.

Ky vendim është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot, më 16 tetor 2025, i cili u bë publik më 7 nëntor 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria kishte pretenduar se kufizimet e vendosura më parë mbeten proporcionale dhe të arsyeshme dhe për rrjedhojë duhet të mbesin në fuqi.

Sipas tyre, ekzistojnë tregues të besueshëm që Thaçi u ka ndarë informacione konfidenciale vizitorëve gjatë vizitave të paprivilegjuara.

Andaj, sipas ZPS-së, Thaçi ka rrezik që të pengojë procedurat e DHSK-së edhe në çështjen e tij për krime lufte, ndonëse çështja e tyre ka përfunduar.

Ndërsa, mbrojtja e Thaçit u përgjigj se ZPS-ja nuk arrin të dëshmojë se kufizimet mbeten të nevojshme ose proporcionale.

Pos kësaj, mbrojtja kundërshton pretendimin e Prokurorisë se ka rrezik që Thaçi të ndërhyjë në ndonjë dëshmitar në çështjen kundër administrimit të drejtësisë. Kjo sipas mbrojtjes për shkak se Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake, listën e provave dhe listën e dëshmitarëve.

Po ashtu, mbrojtja thotë se rasti për krime lufte është afër përfundimit dhe të gjitha palët tashmë kanë paraqitur listat e tyre finale të dëshmitarëve.

Për rrjedhojë, mbrojtja kishte kërkuar që të heq kufizimet e vizitave ndaj Thaçit ose si alternativë ishte kërkuar që të hiqen kufizimet më lidhje me një person emri i të cilit është me përmbajtje të redaktuar.

“Kjo, sipas Mbrojtjes së Thaçit, tregon se si z. Thaçi, ashtu edhe [REDAKTUAR], i janë përmbajtur kushteve të paraburgimit të vendosura ndaj z. Thaçi në Çështjen 06 dhe se nuk është as e nevojshme e as proporcionale të ndalohen të gjitha vizitat jo të privilegjuara në person mes tyre. Përveç kësaj, Mbrojtja e Thaçit thekson se vizitat në person të [REDAKTUAR] para Vendimit F00382 ishin një burim i mbështetjes shumë të nevojshme morale për z. Thaçi”, thuhet në vendim.

Në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake ka thënë se rrethanat që çuan në vendosjen e kufizimeve nuk kanë ndryshuar dhe se vazhdon të ekzistojë rreziku për zbulimin e mëtejshëm të paligjshëm të informacionit konfidencial lidhur me dëshmitarët.

Sipas trupit gjykues, fakti që ZPS-ja mbështetet më shumë në prova dokumentare sesa në dëshmi gojore nuk e ndryshon këtë vlerësim, duke specifikuar se klima e përgjithshme e frikës dhe intimidimit ndaj dëshmitarëve në Kosovë mbetet faktor i rëndësishëm.

Ndërsa sa i përket propozimit alternativ të mbrojtjes, Masselot thotë se e drejta e tij për vizita të privilegjuara mbetet tërësisht e paprekur.

“Sa i takon [REDAKTUAR], Gjykatësja e Procedurës Paraprake mbetet e vëmendshme ndaj [REDAKTUAR], por konstaton se masat aktuale janë proporcionale, meqenëse e drejta e tij për të marrë vizita të privilegjuara mbetet tërësisht e paprekur”, thuhet në vendim.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DHSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.