Hill: Vetëm nga Millosheviqi dëgjova se Thaçi është përfshirë në tortura e abuzime

Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se askush përveç Sllobodan Milloshevqit nuk i ka thënë atij se Hashim Thaçi ishte i përfshirë në tortura ose në abuzime të të drejtave të njeriut.

Fillimisht, dëshmitari u pyet nëse më 1998-ën i ka thënë ndokush që Thaçi ishte përfshirë në tortura ose abuzime të të drejtave të njeriut.

“Jo, jo! Askush nuk e ka trajtuar këtë çështje me mua”, tha Hill.

Përveç kësaj, dëshmitari theksoi i vetmi person që bën përjashtim sa i përket kësaj pjese, ka qenë Sllobodan Millosheviq.

“…i vetmi person që kam dëgjuar të thotë diçka lidhur me këtë ka qenë Millosheviqi dhe askush tjetër”, tha Hill, raporton betimiperdrejtesi.

Dëshmitari tha se kjo bisedë me Millosheviqin ndodhi në vjeshtë të 1998-ës kur ai po mendonte se SHBA-të po largoheshin nga bisedimet vetëm me Ibrahim Rugovën dhe përfshinë edhe UÇK-në.

“Mendoj, që kjo ishte një përpjekje e Millosheviqit për të na thënë neve që të mos punonim me UÇK-në”, tha Hill.

Hill tha se mendon që Millosheviq ishte i shqetësuar që UÇK-së po i jepej një rol më i spikatur në negociata.

Christopher Hill tha se mendimi i Millosheviqit ishte se shqiptarët nuk mund të mblidhen kurrë dhe të bien dakord për asgjë.

“Ishte një lloj ofendimi dhe sharje mbi baza etnike sesa vlerësim i të dhënave apo informacionit”, tha Hill.