E thotë edhe Hill në Hagë: S’kishte asnjë bazë që Hashim Thaçi kishte kontroll mbi UÇK-në

Ish-ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, u pyet rreth takimit të parë të tij me ish-presidentin, Hashim Thaçin.

“Më kujtohet takimi i parë, por nuk më kujtohet sepse kam thënë që kemi qenë të ulur për tokë, sepse më kujtohet që kemi qenë të ulur në disa stola, dhe më kujtohet që ata erdhën me armë në duar [Thaçi me ushtarë të tjerë të UÇK], dhe më kujtohet që unë i thash që ‘ne nuk ndihemi rehat të negociojmë me persona që kanë armë në duar’, dhe iu kërkova që armët t’i mbajnë jashtë shtëpisë”, tha diplomati amerikan, transmeton Klankosova.tv.

Pos tjerash, Hill thotë se në atë kohë nuk iu krijua përshtypja që Thaçi ishte komandat i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ai fliste butë, në mënyrë të mendueshme dhe m’u krijua përshtypja që ai më tepër ishte i përshtatshëm për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, u shpreh Hill.

I pyetur nëse ndaj Thaçit iu krijua përshtypja nëse ishte një person me kontroll, Hill tha se nuk kishte asnjë bazë për t’iu krijuar ky mendim rreth ish-presidentit.