"Nuk i marr unë vendimet për UÇK-në", Hill flet për takimin me Rexhep Selimin
I dërguari i atëhershëm amerikan për Ballkanin, Christopher Hill, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, ka treguar për një takim që kishte zhvilluar me Rexhep Selimin në Likoc, për të cilin fillimisht kishte menduar se ishte personi që merrte vendime në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hill ka rrëfyer se ishte acaruar kur e kuptoi se Selimi nuk ishte ai që merrte vendimet, pasi ky i fundit i kishte thënë se duhej të priste.
Sipas tij, në takim kishin qenë edhe Fehmi Agani si pjesëtar i LDK-së, si dhe gazetarët Veton Surroi dhe Blerim Shala. Në delegacionin e Hill ishin edhe asistentja dhe zëdhënësi për shtyp i ambasadës amerikane në Shkup.
“Ka qenë një Fehmi. Më duket se në këtë takim ka qenë një pjesëtar i LDK-së, më duket Fehmi Agani; dy shqiptarë të njohur: Veton Surroi – gazetar ka qenë, dhe Blerim Shala personi i dytë”, ka deklaruar Hill.
Ai ka sqaruar se ky takim ishte pjesë e përpjekjeve për të kuptuar se kush e udhëhiqte UÇK-në dhe si të arrihej që ajo të bëhej pjesë e një procesi politik.
“Mendova se kjo ishte urgjente sepse kishim një draft-autonomi dhe nuk po arrinim që ta negocionim sepse nuk u përfshi askush. Duhej të formonim një ekip që të mos ishim në situatë ku përfshiheshin persona që nuk do të pranonin rezultatet”, është shprehur ai.
Hill ka përmendur se takimet kishin vazhduar edhe ditën e nesërme, gjatë së cilës, gjatë udhëtimit në drejtim të Shtimes, automjeti i tyre ishte qëlluar me armë zjarri.
“Saktë! Më duket se shkuam në Shtime dhe aty kishte luftime. Në atë udhëtim më kujtohet se Fehmi Agani tha se është provokim prej serbëve. Meqë automjeti ynë u godit me plumba – ishte i blinduar, fatmirësisht – atëherë vendosëm ta ndërprisnim udhëtimin”, ka rrëfyer Hill.
Ai ka treguar se në takim ishte kërkuar rikonstrukturimi i UÇK-së me një kryeministër të ri, ndërsa në takim kishte marrë pjesë edhe Mehmet Hajrizi.
Sipas Hill, Rexhep Selimi vetëm i kishte falënderuar dhe kishte thënë se çështjet do t’i përcilleshin “shefit të Shtabit”.
“Hill i kishte thënë se kishte menduar që vetë Selimi ishte shef i Shtabit dhe ishte habitur kur ky i tha se jo. I thashë: ‘Dhe ju jeni personi që po më thoni se nuk jeni ai që merrni vendimin?’ – ai u përgjigj: ‘Jo, unë nuk jam ai’”, ka treguar Hill, duke shtuar se ishte acaruar shumë pasi Selimi i kishte thënë se vendimi mund të merrej “javën tjetër”.
Ai theksoi se kishte ndjesinë se askush nga përfaqësuesit e UÇK-së nuk donte të merrte përgjegjësi për ndonjë vendim konkret.
“Fillimisht më thanë që do takohem me një person që do merrte vendim, por në thelb nuk donte që askush të merrte asnjë lloj përgjegjësie. Për asnjë diskutim të vërtetë,” tha Hill.
Diplomati amerikan foli edhe për një takim tjetër në Junik, ku kishte takuar një person të UÇK-së me mjekër dhe rroba kamuflazhi, por që – sipas tij – as ai nuk ishte udhëheqës i organizatës.