Kush është Christopher Hill?
Christopher Hill është diplomat karriere dhe ka qenë i përfshirë në çështje lidhur me Kosovën, duke përfshirë si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt edhe në bisedimet në Rambuje në vitin 1999.
Ai kishte disa takime me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999. Hill, së bashku me diplomatin e lartë amerikan, Richard Holbrooke, kishin takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Junik në qershor të ’98-ës.
Ndërsa, me ambasadorin William Walker e kishin vizituar shtabin e UÇK-së në Likoc më 13 janar të ’99-ës, për ta ndërmjetësuar lirimin e tetë ushtarëve serbë, të cilët ishin zënë rob.
Diplomati Hill ishte angazhuar si pjesë e Grupit të Kontaktit për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve në Rambuje të Francës.
Megjithatë, bisedimet në Rambuje përfunduan pa sukses, pasi pala serbe nuk pranoi ta nënshkruante marrëveshjen, duke nxitur NATO-n ta kryejë një fushatë 78-ditore të bombardimeve ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Diplomati amerikan së voni shërbeu edhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi.