Rifillojnë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, Rama: Vazhdojmë me punë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për vazhdimin e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, një nga projektet infrastrukturore që pritet të transformojë hapësirën urbane në qendër të kryeqytetit.
Këtë e bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale Rama, duke shoqëruar mesazhin me pamje nga punimet në terren.
“Përshëndetje Prishtina, vazhdojmë me punë…”, shkroi ai.
Në mes të gushtit Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte hedhur poshtë kërkesën e Komunës së Prishtinës për masë sigurie, në mënyrë që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit.
E më pas edhe Apeli e refuzoi ankesën e Komunës së Prishtinës, duke e cilësuar si të pathemeltë dhe duke e vërtetuar vendimin e dytë të Themelores.
Pas 12 marsit, punimet i ishin ndalur edhe më 16 prill dhe për të tretën herë më 29 prill.
Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë, në mars Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje.