Çfarë ndodh nëse i ujitni bimët me qumësht apo ujë me sheqer

Duket si ide e zgjuar për rritje të shpejtë, por në fakt është një mashtrim viral që dëmton rrënjët

Në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTok, po qarkullojnë dhjetëra video që premtojnë rritje “të mrekullueshme” të bimëve me metoda të pazakonshme, si ujitja me qumësht apo me ujë të ëmbëlsuar.

Megjithëse duken interesante dhe kanë një logjikë të caktuar, ekspertët tërheqin vëmendjen se këto metoda mund të sjellin më shumë dëm sesa dobi.

Ujitja me qumësht

Ideja që qumështi mund të përdoret si lëndë ushqyese për bimët vjen nga përmbajtja e tij në kalcium, proteina dhe mikronutrientë, që teorikisht mund të ndihmojnë bimët. Disa eksperimente të vogla shtëpiake kanë treguar se solucionet shumë të holluara të qumështit të skremuar, të spërkatura mbi gjethe, mund të pengojnë shfaqjen e mykut pluhur tek disa lloje bimësh.

Megjithatë, agronomët theksojnë se ujitja me qumësht nuk është metodë plehërimi. Sipas studimeve të publikuara nga University of Vermont Extension dhe Oregon State University, qumështi mund të përdoret vetëm rastësisht dhe në sasi minimale, pasi qumështi i tepërt krijon shtresë bakteriale në tokë, pengon qarkullimin e ajrit dhe rritjen e rrënjëve, duke shkaktuar erë të keqe dhe kalbje. Prandaj, përdorimi i tij duhet të jetë vetëm eksperimental dhe paraprakisht i testuar në një bimë të vetme, transmeton telegrafi.

Ujitja me ujë me sheqer

Pretendimi se uji me sheqer ndihmon në rritjen e shpejtë të bimëve është edhe më i pabazë. Shpesh thuhet se sheqeri u jep bimëve “energji shtesë”, por kjo bie ndesh me biologjinë e tyre. Bimët vetë prodhojnë sheqerna përmes fotosintezës, duke shndërruar dritën e diellit, ujin dhe dyoksidin e karbonit në glukozë dhe oksigjen. Ky proces nuk mund të zëvendësohet nga sheqeri i shtuar jashtëm.

Kur në tokë shtohet sheqer, balanca osmotike prishet: në vend që të thithin ujë, rrënjët mund të fillojnë ta humbasin atë, duke shkaktuar stres ujor. Përveç kësaj, sheqeri krijon një mjedis ideal për baktere dhe myqe, që shfrytëzojnë oksigjenin dhe ushqyesit e tokës, duke e dobësuar bimën.

Eksperimente të kryera në University of Illinois Extension treguan se farat e ujitura me ujë me sheqer mbijnë më ngadalë sesa ato të ujitura vetëm me ujë, dhe bimët që marrin sheqer shpesh kanë rritje më të ngadaltë dhe më pak lule.

Përfundimi: një mit i rrjeteve sociale

Si qumështi, ashtu edhe sheqeri, mund të duken si “përshpejtues” të rritjes së bimëve, por në praktikë shkaktojnë më shumë probleme sesa përfitime. Qumështi mund të përdoret vetëm në raste të rralla si trajtim plotësues kundër mykut, nëse hollohet fort dhe monitorohet me kujdes. Sheqeri, nga ana tjetër, nuk ka asnjë funksion pozitiv fiziologjik dhe madje mund të jetë drejtpërdrejt i dëmshëm.

Ekspertët e Royal Horticultural Society (RHS) theksojnë se mënyra më e mirë për t’u kujdesur për bimët mbetet substrati i shëndetshëm, uji i pastër, drita e mjaftueshme dhe, kur është e nevojshme, plehra të balancuara sipas nevojave të llojit të bimës.

“Nëse diçka tingëllon si magji në TikTok, zakonisht nuk është shkencë”, thekson RHS në një njoftim për kujdesin ndaj bimëve shtëpiake.

Në fund, pavarësisht miliona shikimeve që mbledhin këto “truke”, natyra ka rregullat e saj dhe ato nuk i mund as sheqeri, as qumështi.