Arrestohet zyrtari policor i dyshuar për aksidentin me fatalitet në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se ka arrestuar një zyrtar policor të dyshuar për shkaktimin e një aksidenti trafiku me pasojë vdekjen e një këmbësori në Prizren.

Sipas njoftimit të IPK-së, aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 18:00 në rrugën “Ismajl Kryeziu” në Prizren, ku një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, duke drejtuar automjetin e tij privat, ka goditur një këmbësor i cili, fatkeqësisht, ka ndërruar jetë nga plagët e marra.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e IPK-së, njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Nga veprimet fillestare hetimore, dyshohet se drejtuesi i automjetit nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke shkaktuar aksidentin me pasoja fatale.

Lidhur me këtë rast, është iniciuar procedurë penale për veprën “Rrezikim i trafikut publik”, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit të shtetit.