Drita thyen rekordin e Ballkanit për më së shumti pikë të fituara në Ligën e Konferencës
Me paraqitjen e parë historike në një fazë të ligës në Ligën e Konferencës, Drita në vetëm tri paraqitje ka thyer rekordin e Ballkanit për më së shumti pikë të fituara (pesë sosh).
Ballkani ishte skuadra e vetme në Kosovë që kishte luajtur dy herë fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, por në të dy rastet kishte mbledhur vetëm nga katër pikë.
Pas tri paraqitjeve pozitive, Drita ka arritur ta thyejë këtë rekord – ku të enjten e kaluar edhe regjistroi fitoren e parë historike në Ligën e Konferencës, për të fituar 0-1 në udhëtim te Shelbourne.
Kësisoj, Drita ka mbledhur pesë pikë aktualisht – një më shumë se Ballkani që kishte arkëtuar kur luante në Evropë, ndërsa këtë numër veçse mund ta rrisin pasi kanë edhe tri ndeshje për t’i zhvilluar.
Forma fantastike e Dritës është pa dyshim meritë edhe e trajnerit Zekirija Ramadani. Përndryshe, ajo që e bën edhe më interesante këtë rrugëtim të “Intelektualëve” është se të tre golat në Evropë, i kanë shënuar lojtarë të ndryshëm, pra Albert Dabiqaj, Arb Manaj dhe Almir Ajzeraj.
Ndër të tjera, Drita për herë të parë këtë edicion ka regjistruar dy fitore radhazi, meqenëse në kuadër të Superligës së Kosovës e mposhti Llapin, e pastaj në mesjavë fitoi ndaj skuadrës irlandeze.
Përpos paraqitjeve fantastike, Drita po ia “sheh hajrin” edhe në aspektin financiar. Klubi nga Gjilani ka fituar plot 666 mijë euro në vetëm këto tri xhiro.
Kujtojmë, Drita do të synojë edhe më shumë pikë në këto tri ndeshjet e mbetura në Evropë, ku fillimisht do ta presin ekipin shqiptar Shkëndijën në “Fadil Vokrri”.