Mjeku kujdestar jep detaje për rastin në Malishevë: Të dy viktimat kishin plagë në gjoks
Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës. Dy vëllezërit Naim dhe Driton Morina, dyshohet se i vrau dhëndri i tyre, Astrit Isufi, që akoma ndodhet në arrati.
Në këtë rrugë të fshatit Golluboc të komunës së Malishevës u vranë dy persona.
Vrasja ndodhi pak metra larg shtëpisë së tyre dhe autor dyshohet të jetë një familjar.
Dhëndri Astrit Isufi, dyshohet se i vrau vëllezërit Naim e Driton Morina.
I dyshuari me të kryer aktin u largua nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, viktimat u transportuan në Emergjencën e fshatit Kijevë, por të njëjtit mbërritën pa shenja jete.
Mjeku i Urgjencës që erdhi nga Malisheva thotë se të dy viktimat kishin nga dy plagë.
“Momentin që kam shkuar unë, pacientin e parë që e kam parë unë, ka qenë Naimi, edhe e kam ekzaminuar. S’ka pasur shenja jete aty hiç. Bebëzat kanë qenë të zgjeruara komplet, tension s’ka pasur, parametrat vital nuk kanë qenë do me thënë, krejt kanë qenë zero. Edhe pacienti i dytë, edhe ai po ashtu i ka pasur dy plagë. Njërën e ka pasur në gjoks dhe tjetrën në regjionin torakal. E ka pasur po ashtu në pjesën torakale, por në anën e djathtë, afër muskulit major që e quajmë ne në gjuhën mjekësore”, tha për Teve1 Festim Sylejmani, mjeku kujdestar.
E në vendin e ngjarjes, u vendosën disa pika nga hetuesit policor.
Në teren u pa edhe gjaku.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Enis Gashi tha se hetimet janë duke vazhduar për të mësuar se për çfarë motive ndodhi rasti.
Gashi theksoi se kërkimet për të dyshuarin po vazhdojnë.
E për lokalizim të të dyshuarit, në male u vendosën edhe njësiti K9 i Policisë së Kosovës,
Astrit Isufi ishte i njohur për organet e drejtësisë.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftuan se ka pasur aktakuzë për dy vepra penale.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, më datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale ‘Dhunë në familje’ sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Kanosje’ sipas nenit 181 të KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja Kaltrina Shala.
Vrasja e rëndë ndodhi gjatë pasdites së sotme.