Cakolli: Ndarja e 100 eurove për studentë, keqpërdorim elektoral i parasë publike
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas ndarjes së 100 eurove për studentë nga qeveria në detyrë, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale.
Ai e ka cilësuar këtë veprim si vazhdimësi të keqpërdorimit të parasë publike për qëllime elektorale.
Sipas Cakollit, fakti që ndihma po jepet tri ditë para balotazhit tregon qartë qëllimin politik të masës, pasi viti akademik ka nisur që më 15 shtator.
Ai shtoi se normalizimi i shkeljeve ligjore nën arsyetimin se janë “në të mirë të qytetarëve” krijon praktikë të rrezikshme dhe dëmton sundimin e ligjit.
Reagimi i plotë, pa ndërhyrje:
Ndarja e 100 eurove për studentë pesë ditë para zgjedhjeve lokale, dhe ekzekutimi i këtyre mjeteve sot, tri ditë para balotazhit – është vijimësi e skemës së keqpërdorimit të parasë publike si instrument elektoral.
Tek e fundit, viti akademik ka filluar më 15 shtator, gati dy muaj më parë. Nëse qëllimi do të ishte mbështetja e studentëve, ajo ndihmë do të ishte dhënë atëherë, jo tani. Edhe pse, për një qeveri në detyrë, s’do të ishte e ligjshme as atëherë.
E ajo që e bën situatën edhe më problematike është normalizimi i shkeljeve të ligjit, nën arsyetimin se “është në të mirë të qytetarëve [studentëve, shërbyesve publik, kategorive sociale, a kujtdo tjetër]”. Kur shkeljet ligjore kalojnë pa reagim, ato shndërrohen në praktikë – dhe pastaj mbase nuk reagon më askush. /Zëri