Policia paralajmëron për e-mailet false që po dërgohen në emër të Institucionit
Policia e Kosovës ka njoftuar opinionin publik se në ditët e fundit po qarkullojnë nëpër e-maile të ndryshme disa informacione të rreme, të cilat paraqiten sikur janë lëshuar nga zyrtarë të lartë të këtij institucioni ose nga organizata ndërkombëtare të sigurisë.
Policia, përmes njoftimit, ka bërë të ditur se këto e-maile janë plotësisht të falsifikuara dhe nuk kanë asnjë lidhje me institucionet vendore ose ndërkombëtare që përmenden në to.
“Policia e Kosovës, përmes kësaj komunikate zyrtare, njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Këto mesazhe elektronike, të titulluara “Ftesë/arrestim i menjëhershëm”, pretendohet se janë dërguar nga institucione si Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovë, FBI-ja, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik ose INTERPOL, me qëllim njoftimi për një “thirrje policore brenda 24 orëve”.
“Këto e-maile nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, sqaroi Policia e Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se ka filluar hetimet intensive në bashkëpunim me organet e drejtësisë, për të identifikuar autorët e këtyre veprimeve.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-maileve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, thuhet më tej në njoftim.
Në fund, Policia ka bërë apel te qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të raportojnë çdo rast të ngjashëm.
“Policia fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail ose dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së — info@kosovopolice.com — për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.