Punëtorët e RTK-së kërkojnë paga pa vonesa, ashtu siç po i marrin deputetët

“Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë=demokraci pa zë” , “Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë”, “RTK nuk hesht edhe në errësirë”, janë këto mbishkrimet që punëtorët e RTK-së mbajnë në duar, teksa kërkojnë të marrin asgjë më shumë sesa pagën e tyre, të cilën nuk e kanë marrë qe gjashtë ditë.

Përfaqësuesi i Sindikatës, Gëzim Bimbashi, u ka bërë thirrje Kuvendit, Qeverisë dhe menaxhmentit të RTK-së të reflektojnë, e në rast se nuk bëhet kjo, atëherë ata kanë paralajmëruar grevë të përgjithshme, duke paralajmëruar edhe se ajo mund të përshkallëzohet.

“Jemi këtu jo për luks, e jo për rritje pagës fatkeqësisht por për rritje të pagës por për një të drejtë themelore për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend që të protestojmë për përmirësimin kushteve të punës apo rritje të pagës ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim. Në gjithë shtetin pagat janë ngritur, të paktën kështu thuhet. Por në RTK punëtorët nuk po marrin as ato që i meritojnë për punën që bëjnë çdo ditë me më shumë përgjegjësi. Kjo nuk është thjeshtë padrejtësi, është fyerje për punën dhe dinjitetin e secilit punëtorë në RTK. Ndërkohë deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të i marrin pagat e tyre rregullisht, çdo muaj pa asnjë vonesë. Por për ne punëtorët që mbajmë gjallë transmetuesin publik askush nuk është kujtuar. E them qartë se për këtë situatë përgjegjësi kanë të gjithë, Kuvendi, Qeveria dhe menaxhmenti i RTK-së. RTK është institucion publik dhe pasuri e qytetarëve të Kosovës, por sot për shkak të neglizhencës rrezikohet vet funksionimi i saj. Pa paga, pa respekt dhe pa mbështetje asnjë institucion nuk mund të mbijetojë. Ne kemi qenë të durueshëm por durimi jonë ka kufij. Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.

Ai, teksa bëri disa pyetje, theksoi se RTK-ja do të mbrohet dhe nuk do të lejohet të shkelet dinjiteti i punëtorëve.

“Në fund kam pyetje të vetme për të gjithë skemën politike të vendit. Çfarë jeni duke dashur të bëni me RTK-në? E presim këtë përgjigje. A po e lini qëllimisht të rrënohet? A po prisni të shuhet zëri i shërbimit publik të Kosovës? Dua ta them qartë dhe fortë; kjo nuk do të ndodhë me asnjë çmim. RTK do të mbrohet dhe punëtorët e saj do ta mbrojnë me dinjitet, me vendosmëri dhe forcën e ligjit. Kur jemi duke e mbajtur këtë protestë këtu, një ekip shume madhe e Televizionit Publik është duke punuar me orë të tëra, me mbi 13 orë që mos të dështojë asgjë. Kur po mbajmë këtë protestë, shumica e kolegëve tanë po mbajnë emisione, vetëm për të mos me dështu misionin e transmetuesit publik, ani pse nuk kemi paga”, tha ai.

Nënkryetarja e Asociacionit të Kosovës (AGK), Naile Dema-Selmani i ka bërë thirrje urgjente kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që t’i alokojë urgjentisht e pa diskutime pagat për punëtorët e RTK-së.

“AGK-ja ka vetëm një kërkesë sot. Kërkon në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, thjesht t’i alokojë pagat për punëtorët e RTK. Ta bëjë njësoj siç bëri herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni edhe financiar që po bëhet ndaj punonjësve medialë”, tha ajo.

Anëtar i Kryesisë së Sindikatës, Fisnik Dërguti, tha se RTK-ja po përdoret për shantazhe dhe për qërim hesapesh mes partive politike.

“Edhe në Raportin e fundit të Progresit është evidentuar si një mangësi funksionimi i RTK e në veçanti kjo sagë e buxhetit e cila po vazhdon dhe tutje. E kemi ditur fare mirë kur kemi mbetur pa paga në tre mujorin e parë e kemi ditur që ka me ndodhë dhe kjo ditë. Pro që një kritikë të ashpër e adresojë kundrejt ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, i cili është dashur shumë më herët të adresojë një kërkesë të tillë dhe të vazhdohet financimi stabile në mënyrë që mos të vihet në këtë situatë dhe gjithë punëtorët të jenë pa paga dhe të shkelet dinjiteti ynë. Kjo formë e protestë do të vazhdojë, deri te grevat e që po shihet se është e pashmangshme siç po duket sepse zgjidhja për RTK është duke u përdoru për inate politike, shantazh e vetëm e vetëm që të sqarojnë hesapet politike partitë mes vete”, tha Dërguti.

Ai ka bërë thirrje të bëhet një zgjidhje, duke nënvizuar se RTK-ja nuk është e asnjë partie politike

“Është një prej faktorëve, fakt ne nuk e kemi marrë buxhetin natyrisht kjo reflekton dhe në pagat tona. Por derisa është gjetur një zgjidhje në tremujorin e parë, pse nuk gjendet një zgjidhje prapë edhe në tre mujorin e dytë. Po përdoret RTK-ja për shantazh dhe për poenë politikë ndaj njëra-tjetrës. I lus dhe u bëjë thirrje të gjithëve pa ngjyrime politike të angazhohen seriozisht sepse ky medium është i Kosovës e nuk është i asnjë partie politike”, ka përfunduar ai.