Kurti premton dronë “Made in Kosova” në Gjakovë, derisa bën fushatë për Ardian Golën

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se në Gjakovë do të jetë qendra e prodhimit të dronëve ushtarakë dhe civilë.

Kurti këtë e bëri gjatë fushatës për kandidatin e LVV-së, Ardian Gola, i cili do të garojë në balotazhin e kësaj të diele për kryetar komune, transmeton Zeri.info.

“Me Ardian Golën, në Gjakovë fillon një kapitull i ri. Aty do të jetë qendra e industrisë së re: do të prodhohen dronët ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’. Prodhim vendor dhe paga të mira për punëtorë. Mirëqenia sociale dhe mbështetja për familjet do të jenë konkrete: banesa për çiftet e reja, pako me produkte esenciale për të porsalindurit, shtesa për lehonat dhe shërbime geriatrike të specializuara për pensionistë”, ka shkruar Kurti.

“Koha e ndryshimit të vërtetë ka ardhur. Le ta bëjmë Gjakovën shembull të qeverisjes së drejtë dhe të zhvillimit për të gjithë. Të dielën, zgjedhim dijen, ndershmërinë dhe përkushtimin. Më 9 nëntor, zgjedhim Ardian Golën me numër 105”, tha ai. /Zëri