Kosova U-20 fiton edhe përballjen e dytë ndaj Katarit U-20
Kombëtarja e Kosovës U20 ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3:0 ndaj bashkëmoshatarëve të Katarit, edhe në ndeshjen e dytë miqësore, tani të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Djemtë e përzgjedhësit Bekim Isufi dhanë një paraqitje të shkëlqyer, duke dominuar ndeshjen nga fillimi deri në fund.
Hero i pjesës së parë ishte mbrojtësi i krahut Omer Bajraktari, i cili realizoi dy gola të shpejtë, duke e vendosur Kosovën në epërsi të sigurt.
Në pjesën e dytë, Kosova vazhdoi me lojë të disiplinuar dhe me presion të vazhdueshëm ndaj mysafirëve, ndërsa rezultatin përfundimtar 3:0 e vulosi Ermir Qetaj me golin e tij në minutën e 59-të.
Edhe ndeshjen e parë para disa ditësh e kishte fituar Kosova me rezultat 5-0.
Një fitore që konfirmon formën dhe potencialin premtues të gjeneratës së re të futbollit kosovar.