Mandatimi i Konjufcës, Abdixhiku zbulon çka i tha Osmanit dje në takim
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zbuluar se çfarë i ka thënë presidentes Vjosa Osmani në takimin e së martës, pasi Glauk Konjufca u propozua si mandatar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes konferencës së sotme për media, ai tregoi se të parës së vendit i tha që vonesa prej 15 ditësh është e panevojshme.
“Në takimin e djeshëm i thashë Presidentes se logjika na thotë që nuk ka shumicë, partitë politike shqiptare po thonë s’kemi shumicë, pse po na vononi edhe 15 ditë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tutje deklaroi se nuk duhet të lidhen në procedura, sepse, sipas tij, në atë mënyrë mund të komplikohet “sa të duam”.
“Jo të lidhemi në procedura, se po të lidhemi në procedura e komplikojmë sa të duam, madje juristët janë të aftë ta komplikojnë sa të duan, por në thelb jemi shumë më thjesht, kjo politikë nuk është aq e komplikuar siç po na bëjnë, politika është shumë e thjeshtë, i kemi shumicën, nuk e kemi shumicën, a po shkojmë në zgjedhje apo s’po shkojmë në zgjedhje”.
“Nëse shkojmë, cila datë po u konvenon, dilni në temë direkt, cilën datë po e doni, pse po na humbni 15 ditë, kur munden ta caktojmë datën”, tha Abdixhiku.