Sërish mund të shtyhet ardhja e videolojës GTA 6

Janë shfaqur informacione të reja të rrjedhura që sugjerojnë se Grand Theft Auto 6 mund të shtyhet sërish.

Fansat e një prej serive më të njohura në historinë e videolojërave mund të duhet të presin më gjatë sesa kishin shpresuar. Sipas informacioneve të reja jozyrtare, Grand Theft Auto VI mund të vonohet, megjithëse data e publikimit është zyrtarisht e caktuar për 26 maj 2026.

Sipas raportimit të The Escapist, në podkastin më të fundit të Reece Reilly janë paraqitur deklarata kontradiktore që sugjerojnë se afatet e punës mund të mos respektohen.

Edhe pse Rockstar Games ende e mban të vlefshme këtë datë, po shtohen dyshimet se loja mund të dalë më vonë sesa ishte planifikuar.

Sipas Reilly, loja me shumë gjasë është afër përfundimit, por mund të kërkojë testime shtesë për t’u siguruar që i përmbush pritjet e lojtarëve dhe fansave pas një periudhe kaq të gjatë pritjeje.

Kujtojmë se GTA VI u njoftua për herë të parë në vitin 2022, ndërsa traileri i parë u publikua në dhjetor 2023, duke shkaktuar interes të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Videoloja pritet të jetë vazhdim i kultit GTA V, i cili u publikua në 2013 dhe ende vazhdon të shitet në miliona kopje.

Për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për ndonjë shtyrje të mundshme, por burimet raportojnë se testimet e brendshme janë ende në zhvillim dhe se ekipi i zhvillimit po përballet me vështirësi në optimizimin e videolojës për konsolat e reja. /Telegrafi