Mbi 12 orë nën rrënoja, humb jetën punëtori në Romë

Një punëtor 66-vjeçar ka humbur jetën pasi një pjesë e kullës mesjetare Torre dei Conti, pranë Forumit Romak dhe Koloseut, u shemb paraditen e së hënës në Romë.

Pas mbi 12 orësh nën rrënoja, Octav Stroici, shtetas rumun, u nxor i gjallë në orën 23:00 me orën lokale, por nuk arriti të mbijetonte, duke ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital.

Sipas autoriteteve italiane, 66-vjeçari ishte pjesë e një ekipi që po kryente punime restaurimi në kullën historike, e cila prej vitesh ishte braktisur. Rënia e papritur e një pjese të strukturës e zuri nën rrënoja punëtorin, ndërsa tre të tjerë u shpëtuan.

Për nxjerrjen e punëtorëve, ekipet e shpëtimit përdorën dronë dhe makineri të specializuara, për shkak të rrezikut të shembjes së mëtejshme të kullës.

Ngjarja ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara turistike të kryeqytetit italian.  /abcnews