Del Piero për Zhegrovën: Një lojtar që mund të bëjë diferencën për Juventusin

Legjenda e Juventusit, Alessandro Del Piero, ka komentuar paraqitjen e sulmuesit shqiptar Edon Zhegrova, duke e vlerësuar si një lojtar që mund të sjellë rrezik për kundërshtarin në çdo moment.

“Tani për tani, Spalletti duhet t'i menaxhojë sulmuesit taktikisht, fizikisht dhe në aspektin e ndikimit. Zhegrova është dikush që të jep ndjesinë se mund të të lëndojë, diçka që duhet të jetë aty për të gjitha 90 minutat,” deklaroi Del Piero.

Edon Zhegrova u aktivizua në minutën e 71-të të ndeshjes së fundit ndaj Sporting CP dhe tregoi disa momente të bukura me driblime të shpejta, duke u faular pa pushim nga mbrojtësit portugez. 

Sulmuesi nuk ishte pjesë e disa ndeshjeve të mëparshme nën drejtimin e Igor Tudor, por duket se po gjen hapësirë me trajnerin Spalletti, duke kontribuar edhe në fitore ndaj Cremonese me rezultat 2-1.

Megjithatë, Juventus vazhdon të ketë vështirësi në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Bardhezinjtë barazuan 1-1 me Sporting dhe, me katër xhiro të mbetura, kanë vetëm 3 pikë, duke rrezikuar seriozisht të mos arrijnë as fazën e play-offit.

Zhegrova duket se është një nga pak shpresat që mund të ndryshojë dinamikën e skuadrës, ndërsa Spalletti kërkon nga lojtarët e tij të tregojnë maksimumin në përballjet vendimtare që vijojnë.