Dogana e Kosovës ndalon kontrabandën me produkte estetike - kapen 100 paketime botox e filler

Njësitë operative të Doganës së Kosovës kanë zbuluar dhe ndaluar një rast kontrabande me produkte estetike gjatë një aksioni të zhvilluar në magjistralen Prishtinë – Ferizaj.

Sipas njoftimit zyrtar, oficerët doganorë kanë ndaluar një veturë të dyshimtë, që përdorej për shpërndarjen e paligjshme të mallrave të kontrabanduara. Gjatë kontrollit në automjet janë gjetur rreth 100 paketime të produkteve botox dhe filler, pa origjinë dhe pa dokumentacion përcjellës.

Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara vlerësohet në 9.479.49 euro.

Hetimet fillestare tregojnë se produktet janë futur në territorin e Kosovës përmes rrugëve ilegale, duke shmangur kontrollin doganor dhe duke mos respektuar kushtet e ruajtjes që kërkohen për produkte të këtij lloji.

Autoritetet theksojnë se përdorimi i këtyre produkteve paraqet rrezik serioz për shëndetin publik, pasi ato nuk janë testuar, nuk kanë certifikim ligjor dhe janë ruajtur në kushte të papërshtatshme.