Deliu për propozimin e Konjufcës: 9 muaj dështim s’mund të mbulohen me taktika politike

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se zgjedhjet janë zgjidhje për situatën politike në të cilën gjendet Kosova.

Deliu tha se mandatari i ri i LVV-së, Glauk Konjufca, pranoi se nuk e ka shumicën dhe sipas saj presidentja e vendit s’duhet të mandatojë dikë që nuk ia dëshmon se e ka shumicën, transmeton Zeri.info.

“Mandatari i ri pa shumicë është thjesht një lojë për të fituar kohë. 9 muaj dështim nuk mund të mbulohet me taktika politike. Zgjedhjet janë zgjidhja”.

“Kandidati i nominuar për krijimin e Qeverisë së Kosovës nga radhët e LVV-së, z. Glauk Konjufca, sapo e pranoi që nuk i ka numrat për votimin e kabinetit të tij, duke deklaruar se ‘i takon opozitës a dëshiron që të kemi dy palë zgjedhje, apo ta votojë Qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje, deri në kohë e rizgjedhjes së Presidentit’”.

“Si ka mundësi që Presidentja e vendit të mandatojë një kandidat i cili ende pa shkuar në Kuvendin e Kosovës, thotë se krijimi apo jo i Qeverisë, varet nga votat e opozitës?!”, ka shkruar Deliu. /Zëri