Rizvanolli thotë se lajmi për investimin më të madh për 40 vjet në KEK kaloi pa u vënë re

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për investimet që janë bërë në rritje të kapaciteteve në KEK.

Rizvanolli ka thënë se në KEK janë bërë investimet më të mëdha në 40 vitet e fundit, ndërsa sipas saj, ky lajm ka kaluar pa u vënë re, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë:

Lajmi i muajit tetor që kaloi pa u vënë re:

Kapaciteti i Njësisë B2 të TC Kosova B u rrit për 35 MW e jetëgjatësia e saj për 20 vjet, sepse KEK sivjet realizoi investimin më të madh që më se 40 vite: modernizimin e turbinës së B2 dhe një sërë investimesh përcjellëse.

Rikujtim: prishja e kësaj turbine në kulm të krizës energjetike në dhjetor 2021 (edhe pse modernizimi ishte planifikuar qysh vite më parë) na kushtoi me 50 milionë importe shtesë vetëm për atë muaj.

Ky investim siguron që prishje të tilla të evitohen ose të minimizohen. Njësia B2 do të na sigurojë prodhim të sigurt edhe për 20 vite. Për më tepër, për çdo MWh tani digjet 1.15 ton qymyr në krahasim me 1.5 ton sa ishte më herët.

Kur ka vizion, seriozitet e angazhim, rezultatet afatgjata vijnë, edhe nëse nuk janë të dukshme menjëherë. Nganjëherë këto duan edhe sakrifica siç ishte ndalja e bllokut B2 për më shumë se 6 muaj sivjet, por që janë sakrifica që i bartim sot për të ardhmen tonë e për brezin e ardhshëm.

Falënderoj të gjithë ata e ato që u angazhuan që nga kontraktimi e deri tek puna e përditshme e mbikëqyrja e investimeve.