U raportua se LVV-ja ka mandatar tjetër përveç Kurtit, Dugolli: Jo, s’ka emër tjetër

Është raportuar në disa media se Vetëvendosja synon të nominojë një tjetër mandatar për formim të qeverisë, tash dy ditë prejse Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ose duhet të pranojë një emër të ri, ose të konstatojë shpërbërjen e Kuvendin e Kosovës.

Por Enver Dugolli, zyrtar i lartë i Vetëvendosjes, mohoi të ketë emër tjetër përveç Albin Kurtit, i cili u rrëzua në Kuvend të Kosovës në propozimin e qeverisë së re, ku pati vetëm 56 vota, pesë vota më pak se një shumicë të thjeshtë minimale.

“Jo, nuk kemi ndonjë emër ose opsion tjetër për mandatar. Ne e kemi pasur Kurtin dhe nuk kemi thirrur ndonjë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, prandaj nuk do të ketë emër tjetër për mandatar”, u shpreh ai në TeVe1.