Krasniqi: Mitrovica është bashkuar me Arian Tahirin për të ardhmen e saj
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Mitrovica është bashkuar rreth kandidatit të PDK-së për kryetar, Arian Tahiri, duke theksuar mbështetjen qytetare që ai po merr në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit.
“Mitrovica është bashkuar me Arian Tahirin për të ardhmen e saj! Qindra qytetarë, të rinj e të moshuar, nga çdo lagje e çdo pjesë e qytetit, edhe sonte u bashkuan me një zotim të përbashkët: për Mitrovicën që punon, që bashkon dhe që beson”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka vlerësuar se Arian Tahiri nuk përfaqëson vetëm partinë, por gjithë qytetarët e Mitrovicës, duke e cilësuar atë si vazhdues të punës së mirë të Bedri Hamzës.
“Ariani, me edukatën dhe vlerat e tij, mishëron drejtimin për të cilin ky qytet qëndron. Përfaqëson vazhdimësinë e një Kryetari të mirë, si Bedri Hamza, që besimin e qytetarëve e ka të shenjtë – ndërsa punën e ka valutë,” ka theksuar ai, duke ftuar qytetarët që më 9 nëntor të votojnë për “zhvillim, besim dhe Mitrovicën që fiton sërish”.