Sveçla: Serbia po vazhdon me veprimet destabilizuese, është koha që faktori ndërkombëtar të veprojë ndaj Serbisë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj rastit të fundit ku dyshohet se forcat serbe kanë plagosur dhe rrëmbyer një qytetar të Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb.

Në një shkrim në Facebook, Sveçla ka theksuar se “Serbia po vazhdon me veprimet e saj destabilizuese ndaj Republikës së Kosovës, duke cënuar hapur integritetin tonë territorial, kësaj radhe në zonën -0- të kufirit mes nesh, e cila ka prani më të shtuar të KFOR-it.”

Ai ka bërë të ditur se xhandarmëria serbe ka plagosur dhe rrëmbyer një qytetar kosovar me inicialet M.V., duke e cilësuar këtë si tentim vrasjeje.

“Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V., shtetas i Republikës së Kosovës’.”

Ministri kujtoi se ky nuk është rasti i parë i tillë, duke përmendur ngjarjet e kaluara.

“Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj ndodhi sulmi terrorist në Banjskë,” ka shkruar ai.

Sveçla ka akuzuar Serbinë për ushtrimin e “politikave të terrorit dhe dhunës” ndaj qytetarëve të saj dhe kundërshtarëve të regjimit të Aleksandër Vuçiqit.

“është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit”.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të reagojnë ndaj veprimeve të Serbisë.

“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë. Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë,” tha tutje Sveçla.