Atentati që i mori jetën 36-vjeçarit në Selenicë, shpallet në kërkim djali i xhaxhait
Mbrëmjen e sotme rreth orës 20:25 minuta në fshatin Gjorm, të bashkisë së Selenicës në Shqipëri, është gjetur i pajetë nga familjarët 36-vjeçari Dalan Alliaj.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe ambulanca, ku kjo e fundit ka transportuar trupin e 36-vjeçarit në spitalin e Vlorës, por pa shenja jete.
Ndërkohë është shpallur në kërkim djali i xhaxhait të viktimës, Bertil Alliaj, i cili dyshohet si autor. Ky i fundit është një nga autorët e masakrës së Çoles ndodhur në 2015, ku mbetën të vrarë Akil Hasanaj, Ardi Velaj dhe Albi Limaj, raporton Top Channel.
Forcat e rendit, FNSH bashku me ekspertët e kriminalistikës, kanë bërë këqyrjen e vendngjarjes dhe kanë shoqëruar për në polici pesë persona, përfshirë djalin e xhaxhait (ndërkohë në kërkim është shpallur një tjetër djalë xhaxhai i viktimës) i cili ka qenë me 36-vjeçarin, kryeplakun e fshatit, dhe tre banorë të tjerë, që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më herët, nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit B. A., i cili dyshohet se në fshatin Gjorm ka vrarë me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin D. A.
Pas kryerjes së krimit, shtetasi B. A. është larguar drejt zonës malore përreth, ku dyshohet se fshihet.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë po vijojnë punën intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.