Tahiri: Qeveria në detyrë është nënë për sektorin publik e njerkë për sektorin privat

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria në detyrë është bërë nënë për sektorin publik dhe njerkë për sektorin privat.

Ai e deklaroi këtë pasi ishte kritik ndaj vendimeve të fundit të ekzekutivit në detyrë për rritjen e pagave dhe ndarjen e rrogës së 13-të për punëtorët e sektorit publik.

“Nga aeroplani e sheh, nga hëna e sheh që ky vendim dhe këto vendime nuk kanë të bëjnë me mirëqenie. Me këto vendime janë duke e prekur sentimentin e njerëzve në nevojë. A e di se çfarë do të thotë për një familje që ka marrë një mikro-kredi prej 2 mijë eurosh për t’i blerë drutë? Me ia dërguar ti edhe një rrogë. Dikush që e ka gruan medicinale dhe vet është zyrtar diku, ajo e ka rrogën 700 e ky 800 euro – bëjnë 1 mijë e 500 euro, plus i kanë tre fëmijë.

A e di se çfarë do të thotë kur u shkojnë 2 mijë euro në dhjetor? Por çfarë ka për të thënë ai që punon në ndërtimtari, apo ajo gruaja që punon në market, apo një gazetar, apo kushdo që punon në sektorin privat? A e di se çfarë diskriminimi është ky? Kjo do të thotë të të vijë gërdi prej shtetit tënd. Bukfalisht kjo qeveri është bërë nënë për sektorin publik dhe njerkë për sektorin privat”, ka thënë Tahiri. /klankosova