I buzëqesh fati Amir Saipit para ndeshjeve të Kosovës, do të rikthehet si titullar te Lugano

Portieri i Kosovës Amir Saipi do të rikthehet si titullar te Lugano, për dy ndeshjet e radhës, kundër St.Gallen dhe Baselit.

Saipi ka qenë në stol në tetë ndeshjet e fundit të Luganos pasi refuzoi të rinovonte kontratën e cila skadon në verë, kësisoj vendin e tij e zuri David von Ballmos.

Megjithatë, ky i fundit u lëndua në përballjen e fundit ndaj Luzernit dhe pavarësisht që pësoi dëmtim muskulor arriti të zhvillojë ndeshjen deri në fund.

Sidoqoftë, siç raporton gazetari Omar Gargantini, lëndimi i 30-vjeçariot ka rezultuar të jetë më serioz sesa pritej dhe do të qëndrojë jashtë fushës ndoshta deri në fundin e vitit 2025.

Kësisoj, Saipi do të rikthehet si titullar te Lugano së paku për dy ndeshjet e radhës, gjë që do t’i mundësojë të fitojë formën para përballjes të rëndësishme që Kosova e zhvillon ndaj Sllovenisë.

Kujtojmë, Saipi është portieri i dytë i Kosovës dhe duke marrë parasysh që Aro Muric është i suspenduar, ai pritet të jetë “gardiani” i “Dardanëve”.