Drejtori i një shkolle në Kllokot ndalohet për 48-orë, dyshohet se detyroi mësimdhënësen të votojë për “Listën Serbe”

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar për 48 orë të pandehurin D.K., drejtor i një shkolle në Komunën e Kllokotit, i cili dyshohet se ka ushtruar presion ndaj një mësimdhënëseje për mënyrën se si të votojë në zgjedhjet komunale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajve shtator dhe tetor 2025, i pandehuri ka kërcënuar mësimdhënësen duke e detyruar të votojë për subjektin politik “Lista Serbe”, ndërsa në rast të kundërt e ka paralajmëruar me masa disiplinore, largim nga puna dhe pasoja tjera socialo-ekonomike.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, i cili akuzohet për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, sipas nenit 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I dyshuari aktualisht ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, me urdhër të prokurorit të rastit.

Njoftimi i plotë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të pandehurin D.K. dhe ndaj tij ka kërkuar masën e paraburgimit, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ nga neni 210 Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.K. në cilësinë e drejtorit në një shkollë, gjatë dy muajve të fundit shtator-tetor 2025, ka kërcënuar të dëmtuaren -mësimdhënësen në atë shkollë, se si te votoj dhe ka detyruar në përcaktimin në votim për subjektin politik ‘’Lista Serbe’’ ose në të kundërtën do të ketë pasoja si procedura disiplinore, largim nga puna si dhe pasoja tjera socialo-ekonomike, në lidhje me zgjedhjet komunale në Komunën e Kllokotit. I njëjti me urdhër të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.