Osmani: Do të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet e jashtëzakonshme

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se do të bëjë çmos që t’i shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ajo pas takimit të premten me liderët e partive politike tha se nuk kishte pajtueshmëri për çështjen e mandatarit të dytë për ta formuar qeverinë e re.

Sipas saj, presidentja e vendit e ka obligim që të bëjë çmos që të shmangë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme.

“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese thonë që presidentja duhet të bëjë çmos që të evitojë zgjedhjet. Ky është detyrim i presidentes. Partitë politike i kanë qëndrimet e tyre, dikush dëshiron sot, dikush nesër, por detyrimi i presidentes është çmos që të evitohen zgjedhjet. Atë detyrim duhet ta kryejë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, theksoi ajo.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja u shprehën se janë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por kreu i LVV-së, Albin Kurti, nuk u deklarua pas takimit.

A do të ketë një mandatar të dytë? Osmani thotë se afati skadon më 5 nëntor.

Osmani tha se ka afat kushtetues deri më 5 nëntor që të vendosë nëse do të shpallë zgjedhje të reja apo të mandatojë dikë për të formuar ekzekutivin e ri. Ajo tha se Kurti i ka kërkuar që të takohen para 5 nëntorit.

E para e vendit tha se Kurti si kryetar i partisë së parë në zgjedhjet e 9 shkurtit kërkoi edhe disa ditë kohë para se të skadojë afati prej dhjetë ditësh për çështjen e mandatarit të dytë.

Osmani tha se është në diskrecionin e saj për mandatarin e dytë, porse do të veprojë se kush ia argumenton se ka shumicën parlamentare, por jo domosdo nevojën për t’ia dëshmuar me 61 nënshkrime të deputetëve.

E para e vendit theksoi se në disa aktgjykime të Kushtetueses theksohet se mandatari i dytë për kryeministër duhet të jetë i ndryshëm nga mandatari i parë i cili ka dështuar ta formojë qeverinë.