“Netët e Filmit Shqiptar” në Kino Armata, më 3 nëntor vepra artistike e regjisores së njohur Xhanfise Keko
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë do të organizojë mbrëmjen e katërt të ciklit kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”, të hënën, më 3 nëntor 2025, në Kino Armata, me fillim nga ora 19:00.
Në këtë mbrëmje do të shfaqet filmi artistik “Kur xhirohej një film” (1981), i realizuar nga regjisorja e njohur Xhanfise Keko, një nga figurat më të dashura të kinemasë shqiptare, transmeton klankosova.
Ky cikël filmash, i cili do të zhvillohet deri në nëntor 2025, organizohet nga Ambasada shqiptare në Prishtinë në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe Kino Armata.
“Netët e Filmit Shqiptar” synojnë të sjellin për publikun e Kosovës një përzgjedhje të veçantë filmash nga autorë të njohur të kinemasë shqiptare, si Dhimitër Anagnosti, Saimir Kumbaro, Fehmi Hoshafi, Muharrem Fejzo dhe Xhanfise Keko.
Filmat do të shfaqen si për nxënësit e shkollave, ashtu edhe për publikun e gjerë filmdashës, duke ofruar një udhëtim në historinë dhe trashëgiminë e artit kinematografik shqiptar.
Hyrja do të jetë falas, ndërsa vendet janë të kufizuara.
Pjesëmarrja duhet të konfirohet deri më 3 nëntor 2025, ora 16:00, në adresën elektronike: embassy.pristina@mfa.gov.al
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë mirëpret me kënaqësi të gjithë dashamirët e filmit shqiptar në këtë mbrëmje të veçantë, kushtuar trashëgimisë sonë kinematografike.